In vino futura

nga Sindi Braho & August Modersohn

Artikel auch verfügbar in: Deutsch

‘Vendi i shqiponjave’ ka ende shumë ‘fluturime’ për të bërë deri sa të arrijë të ketë gjurmën e vet në industrinë e verës.

Shqipëria, edhe pse është një nga vendet me traditat më të vjetra në verëbërje, dhe me ‘tokë të bekuar’, për arsye ekonomike dhe politike, nuk ka mundur të depërtojë në tregun ndërkombëtar të verës. E dëgjojmë shpesh të thuhet: ’’E ardhmja është e atyre që besojnë’’. Një ndër ata që besojnë është 27 vjeçari, Ersol Caco. Edhe pse studimet i ka kryer në Tiranë, ai nuk investoi kohën dhe as ëndrrat në kryeqytet. Për shumë të rinj Tirana shihet si ‘vendi i lirisë’ dhe i ëndrrave, por jo për të. Me ide të qarta, që e kthenin gjithmonë në vendlindje, Ersoli mbaroi studimet për Teknologji Ushqimore në Universitetin e Shkencave të Natyrës dhe u kthye në Pogradec për të ndjekur traditën familjare. Që në vitin 1991, babai i tij është bërë pjesë e biznesit të verëbërjes.

Varietetet e rrushit me të cilin bëhet verërat në 'Kantinën Caco' merren nga 10 fermerë të ndryshëm në zonën e Leshnicës në Pogradec. Mund të përmendim ndër to: Pamid rosé, Lyhnid (i bardhë/ i kuq) dhe Chardonnay.
‘Lyhnid’ është emri i lashtë i Liqenit të Ohrit dhe do të thotë "Liqeni i Dritës".
Vera ‘Lyhnid’ (e kuqja), prodhohet me kultivarët e rrushit të kuq të vreshtave në zonën e Pogradecit, varietetit autokton ‘Gems’ dhe varietetit internacional ‘Merlot’.

Vreshtat nga ku merret rrushi i 'Kantinës Caco', Leshnicë/Pogradec.
Pamje nga vreshtat e varietetit të rrushit të kuq 'Pamid', Leshnicë.
Rreth 3000 shishe rosé prodhohen çdo vit në kantinë.
Një bestytni e vjetër shqiptare: Mendohet që luga në krye të vreshtit mban larg 'syrin e keq' dhe mbron rrushin nga insektet.
Babë e bir: Ersol Caco do të ndjekë hapat e babait të tij, Nezhdetit.

Viset e Shqipërisë së dikurshme kanë qenë të përbëra nga pjesë të Dalmacisë dhe Maqedonisë. Pak dihet për gjendjen e prodhimit dhe tregtisë së verërave lokale në kohët e lashta (greko-romake), por cilësia e verës së prodhuar në këto zona është vlerësuar gjithmonë për aromën unike. Shkrimtari dhe filozofi i lashtë romak, Plini, shkruante për verën e viseve ilirike. Sipas tij, alkooli ishte shumë i ëmbël dhe kishte një shije dehëse.

Verëbërja vazhdoi, megjithëse në heshtje, deri në fillimin e sundimit osman, në fund të shekullit të 15-të. Dhe, siç ndodhi në vendet e tjera islame, prodhimi i verës u zhduk në mënyrë drastike për shkak të kufizimeve të besimit. Pavarësisht luhatjeve që vendi ynë ka pasur në prodhimtarinë e verës, edhe në ditët e sotme ndihen pasojat. Varietetet që përdoren janë autoktone, por mungon mbështetja për produktet vendase. Çdo vit Shqipëria prodhon 1 milion shishe vere dhe importon 50 milionë euro verë italiane.

Edhe pse gjërat po ndryshojnë me ngadalë, vihen re përmirësime. Nga 23 kantina vere në vitin 1972, tani në Shqiperi ka rreth 250 të tilla. Ersoli e sheh të ardhmen e tij atje ku ka edhe rrënjët. Endrrat dhe ambiciet janë të ndërtojë një kantinë të madhe buzë një kodre. Ndërtimi i kësaj kantine nuk lidhet vetëm me egon e tij personale në biznes, por edhe me dëshirën për të ndihmuar njerëzit në fshat duke iu ofruar vende pune. Dëshira e tij më e madhe është të rikthejë gjallërinë e munguar edhe në zonat rurale.