Të shpëtosh të ardhmen

nga Alesia Mansaku & Johannes Drosdowski

Artikel auch verfügbar in: Deutsch

Për dikë, të jetuarit në qytetin e vogël të Pogradecit do të ishte një mundim i përditshëm.Për Aleksandër Filipin, mësuesin 33 vjeçar, është e kundërta. Për të është kënaqësi të mësojë fëmijët e gjimnazeve se si duhet të admirojnë dhe vlerësojnë bukuritë e vendit. Ai është udhërrëfyes i një guide për turistët në pjesën Juglindore të Shqipërisë, ku përfshihet edhe Pogradeci.

Misioni i tij është që Pogradeci të ketë turizëm dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Për të arritur këtë ai mendon që secili duhet të japë kontribut. Sidomos duke u marrë me problemet. Liqeni i Ohrit është një problem i tillë. Ai përmend mungesën e kulturës së përgjithshme të popullsisë, si p.sh. hedhja e mbeturinave të konsumit të përditshëm vend e pa vend. Shtoji kësaj mungesën e mirëmenaxhimit të mbetjeve urbane. Për ta zgjidhur, ai thotë se duhet të kemi një fokus të gjerë dhe të qartë. Aleksandri mendon se zgjidhja e këtyre problemeve duhet të fillojë me edukimin e nxënësve. Jo vetëm në shkolla, por edhe në rrjetet sociale. Ata duhet të kenë dëshirën e mirë për t’a ndryshuar dhe për t’a mbrojtur mjedisin.

Liqeni i Ohrit është një nga më të thellët dhe dhe më të vjetrit në botë. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri në 5 milion vjet. Në liqen rriten 40 specie të rralla, ndër më të njohurat dhe ekonomikisht më të rëndësishmet, është peshku i pastër i llojit Salmo letnica (Korani). Ana maqedonase e liqenit është e mbrojtur nga UNESCO, dhe e ka fituar statusin si pjesë e Trashëgimisë Botërore që prej vitit 1979, ndërsa pjesa shqiptare vuan prej vitesh për shkak të mungesës së angazhimit dhe dëshirës për të mbrojtur këtë pasuri të rrallë.

Liqeni ka frymëzuar shume poetë dhe piktorë. Lasgush Pordeci njihet si ‘poeti i Liqerit’. Anastas Kostandini, një tjetër artist pogradecar, e ka burim të përditshëm frymëzimi dhe temë të pikturave të veta. Ai ka 50 vite që pikturon dhe deri tani ka shitur 2000 piktura. Shumë prej tyre përshkruajnë liqenin.
‘’Kurrë nuk kam menduar të largohem nga liqeni. Eshtë arsyeja pse unë jam bërë piktor. Eshtë pjesë e imja dhe unë nuk mendoj se duke shkuar në një vend tjetër dielli do të shkelqejë ndryshe atje për mua”- thotë Anastasi, ndër miqtë i njohur si Taso.

Anastas Kostandini ka lindur në Pogradec në vitin 1954.
Sapo futesh në shtëpinë e Anastasit, gjëja e parë që ti shikon në pikturat e tij është liqeni i Ohrit.
Në pikturë: Vangjush Mio, pikturuar nga Anastas Kostandini.
Ekspozita e tij personale
Duke kërkuar pikturat e tij të preferuara.
"Pogradeci në hyrjen nga Tirana"-Anastas Kostandini, 14 Gusht 2017
Pikturë abstrakte e Pogradecit

Pjesa më e madhe e qytetit janë ndërgjegjësuar për problemin e ndotjes së liqenit dhe kanë filluar të bëhen pjesë e nismave për pastrimin e tij. Ndërgjegjësimi duhet të fillojë nga vetë qytetarët në mënyrë që liqeni të ruhet.

Aleksandri, në fëmijëri, ka qenë gjithmonë pranë liqenit. Ai e ka shijuar liqenin duke notuar, u kredhur dhe duke luajtur me shokët. E kujton të pastër liqenin e fëmijërisë. Jo më: me kalimin e viteve ai u ndot, edhe për shkak të derdhjeve në të të ujërave të zeza. Disa ndërhyrje së fundmi e kanë kthyer kujdesin e dikurshëm.
‘’Të gjithë së bashku, mund ta mbrojmë këtë pasuri të rrallë dhe të kujdesemi për të si për të ardhmen tonë‘’- thotë Aleksandri.