“Refuzoj të dorëzohem”

nga Jenida Vladi & Katharina Fiedler

Artikel auch verfügbar in: Deutsch

Shtëpia ndodhet në një lagje të zakonshme në qytetin e Pogradecit. Poshtë oborrit, dy vogëlushe hidhen perpjetë duke vrapuar për të kapur njëra-tjetrën dhe duke qeshur me shpirt. Siç vetëm një fëmijë di ta bëjë. Më pas iu bashkohet një djalosh i cili kryqëzon duart si për treguar se është i rritur, i fortë dhe rebel, por pas asaj pamjeje prej ‘çunaku trim’ fshihet një gjysëm – buzëqeshje, që tregon më shumë sa ai mund të jetë i aftë të përshkruajë me fjalë.
Të tre së bashku vrapojnë për të hapur një derë që të çon nga bota e bukur e fëmijëve në një realitet të hidhur shqiptar. Nëse rastësia do të të bënte të kaloje përpara atij oborri, do mund të betoheshe se poshtë asaj çatie nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Nuk është kështu. Me të hapur derën e familjes Vako sytë nuk dinë ç’të zgjedhin më parë për ta fotografuar në kujtesë. Dhoma në gjendje mjerane, me një erë kutërbuese që vjen nga banjo. Muret me priza të pambrojtura dhe lagështirë. Mobilje të katandisura dhe divanë të arnuar. Që të gjashtë, prindërit fëmijët dhe gjyshja, të mbledhur përreth ne kuzhinën e ngushtë, më një shprehi prekëse, si një plagë që, kushedi prej sa kohësh, i mundon.
Pastaj vjen Genti, dhe buzëqeshjet rikthehen.
Ata e dine, sepse e njohin.
Ka ardhur për t’i ndihmuar.

Disa familje jetojnë në shtëpi me xhama të thyer.
Pamje që flasin vetë
Ngjyrat e varfërisë në një shtëpi të një lagjeje të varfër pogradecare, janë të shumta dhe të trishta
Qyteti i Pogradecit është i pozicionuar në Shqipërinë Juglindore dhe shtrihet në bregun e liqenit të Ohrit, një prej liqeneve më të vjetër të botës. Popullsia e Pogradecit është rreth 20.848 banorë

Pogradeci ka një anë tjetër, që jo të gjithë duan ta shikojnë. Janë vetëm disa hapa ata që ndajnë zonat e bukura turistike nga vendet e lëna në harresë.
Por ngjyrat e verës janë të gëzuara. Pogradeci rigjallërohet në verë, kur mijëra turistë, shqiptarë e të huaj, duket se e bëjnë qytetin e vogël të madh e të gëzuar.
Genti Çela në mjediset e 'zyrës' së Fondacionit 'Fundjavë ndryshe', një qoshk i thjeshtë në dyshemenë e të cilit gjenden qese me ushqime për të varfrit. Në mur është një flamur shqiptar, në të majtë një prej vajzave aktiviste që e ndihmon me shpërndarjen e ndihmave. Nuk ngjan me 'shpellën' e një misionari, por as me 'papafingon' e një Santa Klausi, prej nga ku niset, megjithë slitën, për t'u bërë dhurata fëmijëve dhe të varfërve.
Vaj, makarona, oriz dhe të tjera ushqime 'të shportës' janë ndihmat që shpërndan sot Genti Çela.
Cili do të ishte fati i këtij fëmije të bukur me pamje 'nordike' nëse do të ishte në Gjermani?!

Genti Çela është lindur dhe rritur në Pogradec. Kujtimet më të bukura i ka krijuar në këtë qytet të vogël e të paqtë. Teksa përshkruan lidhjen e tij me Pogradecin fillon dhe flet për liqenin. Sytë i marrin një ngjyrim tjetër dhe buzëqesh, sikur te ishte kujtuar për një dashuri të hershme të fëmijërisë. Liqeni, për Gentin dhe të gjithë pogradecarët, është një dashuri që i shoqëron ditë pas dite si për t’ju dhënë qetësinë shpirtërore për të cilën kanë nevojë. Genti është i dashuruar me klimën dhe peizazhin, paqen dhe bukurinë që natyra i ka dhuruar qytetit.

Aktivistët e 'Fundjavë ndryshe' shpërndajnë ushqime në një familje të varfër në Pogradec

Genti, prej më shumë se një viti, i është bashkuar vullnetarisht Fondacionit “Fundjave Ndryshe” duke iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Ndihmat që arrin të mbledhë, me kontributin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, mbështetur nga një grup të rinjsh vullnetarë, ai i paketon për t’i shpërndarë më pas te familjet e identifikuara që më parë si 'në nevojë'.
Familje të cilat duket se i njeh mire pasi rikthehet dhe i mbështet në mënyrë periodike.

Rreth 14 përqind e popullsisë në Shqipëri janë në varfëri totale dhe Pogradeci është thjesht një nëndegë e problemit të përgjithshëm. Nuk ka punë.

Genti Çela refuzon të dorëzohet. Refuzon t’i dorëzohet dëshpërimit se Pogradeci nuk bëhet, Shqipëria nuk bëhet. Ai e shikon Shqipërinë si një vend me potencial ekonomik dhe me përparësi natyrore që, në pak vite, mund të sjellin ndryshimin. Ai beson se ka nevojë, sot më shumë se kurrë, për mendjen e të rinjve shqiptarë. Eshtë i bindur se ky ndryshim vjen duke e dashur vendin.
Të largohesh nuk është zgjidhja.