Liqeni në pëllëmbë të dorës

nga Loneta Progni & Ariane Dreisbach

Artikel auch verfügbar in: Deutsch

Kthehet nga liqeni për t’u përballur me sfidën e radhës: të shesë peshkun që gjendet në rrjetë. Me të dyja duart merr sardelet e vogla dhe i vendos në një shishe të prerë derisa ajo të mbushet plot. Uji i rrëshqet nëpër gishta, ndërsa sardelet e argjendta shkëlqejnë nën dritën e diellit. Me shishen plastike, që mban rreth një kilogram peshk, mbush një qese, të cilën e lidh dy herë duke krijuar një nyjë. Njerëzit mblidhen rreth varkës dhe i blejnë sardelet për 100 lekë të reja.
Orion Laze është 30 vjeç dhe prej 10 vitesh punon si peshkatar në liqenin e Pogradecit. Herët në mëngjes, merr mjetet e peshkimit dhe shkon drejt varkës së tij të verdhë në breg, gati për të përballuar vështirësitë dhe të papriturat e liqenit.

Varkat e vjetra pasqyrojnë “betejat” me liqenin e Ohrit, por ngjyra e tyre e verdhë i jep optimizëm vendimit të përditshëm të peshkatarëve për t’i marrë parasysh thellësitë e liqenit dhe vështirësitë e zanatit.
Orion Laze është një peshkatar nga Pogradeci. Ai futet çdo ditë për të zënë peshk në liqen prej 10 vitesh, por pasioni i tij i madh për peshkimin ka filluar kur ai ishte vetëm 6 vjeç.
Rrjetat janë teknika më e përdorur në liqenin e Ohrit për të peshkuar. Kjo nuk ndryshon shumë nga mënyra e peshkimit në vendet e tjera, por ajo çfarë e bën shumë të veçantë peshkimin këtu është pikërisht peshku i rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen: korani.
Peshkimi mund të zgjasë nga 6 deri në 12 orë në ditë. Këto orë të gjata kalohen në “shoqërinë” e pulëbardhave dhe një pakete cigaresh.
Jo të gjitha ditët janë njëlloj për Orion Lazen. Ka raste kur ai kthehet duarbosh, siç ka dhe raste kur nga peshkimi ai fiton 100 mijë lekë të reja në ditë. Por kjo ndodh rrallë, pasi mesatarisht ai i çon familjes paratë e pakta që sjellin disa kilogramë peshk.
Peshkun e kapur, zakonisht e shet në varkë sapo kthehet, e dërgon në restorantet e zonës ose ia bën “dhuratë” vetes dhe miqve duke e gatuar për drekë, shoqëruar me një gotë verë nga Pogradeci.
“Mund të kem probleme si çdo njeri, por kur hyj në liqen unë harroj gjithçka.”

Dëshira e Orionit për të peshkuar ka filluar që në moshën 6 vjeçare, kur merrte disa grepa të vegjël dhe i hidhte në ujë, sipas udhëzimeve të babait peshkatar. Kështu mësoi edhe teknikat e peshkimit nga i ati dhe daja. Pasi mbushi pesëmbëdhjetë, Orioni doli për herë të parë në liqen për të testuar çdo njohuri që kishte marrë për peshkimin, dhe mbi të gjitha për të provuar veten. “Pashë një peshk vërtet të madh në ujë dhe vendosa se po ta kapja, do të bëhesha peshkatar. Ia dola dhe isha vërtet i lumtur”, shprehet Orioni. Pavarësisht traditës së një familjeje peshkatarësh, i ati nuk ishte shumë i kënaqur që i biri kishte vendosur të bëhej peshkatar, pasi këmbëngulte gjithmonë që ai të shkollohej. Orioni hoqi dorë nga shkolla pas mbarimit të klasës së 8-të dhe iu përkushtua tërësisht pasionit të tij, peshkimit.

Prej 10 vitesh, Orioni punon si peshkatar i licensuar në liqenin e Ohrit. I gjithë qyteti e njeh si të zotin dhe të pasionuar pas peshkimit. Orioni shprehet se pavarësisht dashurisë së madhe për liqenin, zhytjen e lirë dhe peshkimin, të jetuarit si peshkatar është më e vështirë se gjithë stuhitë e liqenit. Sipas tij, të ardhurat për një peshkatar janë aq të ulta sa është e vështirë të përballosh jetesën; sidomos tani që është edhe prindi i një djali 1 vjeçar. Orioni tregon se, ndonjëherë, kthehet duarbosh nga peshkimi, por me krenari shton se një herë ka arritur të fitojë 100 mijë lekë të reja nga peshkimi i një dite. Ky fat i mirë e ka ndjekur shumë rrallë gjatë viteve si peshkatar, pasi zakonisht ai dërgon në familje vetëm të ardhurat që mund të vijnë nga shitja e vetëm disa kilogramëve peshk.

Çdo mëngjes, Orioni niset drejt liqenit me shpresën se do të jetë një ditë e mirë dhe do të peshkojë mjaftueshëm, por kjo gjë është në dorë të fatit. Ndonjëherë ai mund të kalojë rreth 12 orë në liqen dhe kthehet në breg me shumë pak kilogramë peshk për të shitur.
Varka e vjetër e Orionit duket se ka kaluar shumë vështirësi në liqenin e Ohrit. Të ardhurat nga peshkimi nuk mjaftojnë për të bërë investime të reja, kështu që ai do e përdorë derisa të jetë funksionale.
Ndonjëherë Orioni arrin të peshkojë vetëm sardele. Kjo ndoshta nuk mund të konsiderohet si një ditë e mirë për të, pasi ai do të preferonte më shumë koranin që e shet më shtrenjtë, ose krapin që është peshku i tij i preferuar.
Sot Orioni ka peshkuar rreth 20 kg sardele. Pasi i ka shitur të gjitha, arriti të fitonte rreth 2 mijë e 500 lekë të reja.
Pasi është kthyer nga liqeni, ai po pastron disa sardele për t’i ngrënë për drekë me miqtë e tij, në një restorant pranë bregut.
Shpendët duket se presin me padurim ardhjen e Orionit në breg, pasi ai gjithmonë kujdeset që peshqit e mbetur në rrjetë t’ua ofrojë falas “banorëve” fluturues të liqenit.

Përballja çdo ditë më vështirësitë e peshkimit nuk e ka zbehur dashurinë e Orionit për liqenin, traditën dhe sidomos për familjen. Ai shprehet i vendosur se nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria, dhe as nga Pogradeci, sa kohë do të ketë mundësi të peshkojë, sikurse ka bërë prej më shumë se 10 vitesh. “Nuk do të largohem nga Shqipëria, pasi familja dhe liqeni janë e gjithë jeta ime”, tregon peshkatari 30-vjeçar.