Liqeni në pëllëmbë të dorës
Artikel auch verfügbar in: Deutsch
Kthehet nga liqeni për t’u përballur me sfidën e radhës: të shesë peshkun që gjendet në rrjetë. Me të dyja duart merr sardelet e vogla dhe i vendos në një shishe të prerë derisa ajo të mbushet plot. Uji i rrëshqet nëpër gishta, ndërsa sardelet e argjendta shkëlqejnë nën dritën e diellit. Me shishen plastike, që mban rreth një kilogram peshk, mbush një qese, të cilën e lidh dy herë duke krijuar një nyjë. Njerëzit mblidhen rreth varkës dhe i blejnë sardelet për 100 lekë të reja.
Orion Laze është 30 vjeç dhe prej 10 vitesh punon si peshkatar në liqenin e Pogradecit. Herët në mëngjes, merr mjetet e peshkimit dhe shkon drejt varkës së tij të verdhë në breg, gati për të përballuar vështirësitë dhe të papriturat e liqenit.
Dëshira e Orionit për të peshkuar ka filluar që në moshën 6 vjeçare, kur merrte disa grepa të vegjël dhe i hidhte në ujë, sipas udhëzimeve të babait peshkatar. Kështu mësoi edhe teknikat e peshkimit nga i ati dhe daja. Pasi mbushi pesëmbëdhjetë, Orioni doli për herë të parë në liqen për të testuar çdo njohuri që kishte marrë për peshkimin, dhe mbi të gjitha për të provuar veten. “Pashë një peshk vërtet të madh në ujë dhe vendosa se po ta kapja, do të bëhesha peshkatar. Ia dola dhe isha vërtet i lumtur”, shprehet Orioni. Pavarësisht traditës së një familjeje peshkatarësh, i ati nuk ishte shumë i kënaqur që i biri kishte vendosur të bëhej peshkatar, pasi këmbëngulte gjithmonë që ai të shkollohej. Orioni hoqi dorë nga shkolla pas mbarimit të klasës së 8-të dhe iu përkushtua tërësisht pasionit të tij, peshkimit.
Prej 10 vitesh, Orioni punon si peshkatar i licensuar në liqenin e Ohrit. I gjithë qyteti e njeh si të zotin dhe të pasionuar pas peshkimit. Orioni shprehet se pavarësisht dashurisë së madhe për liqenin, zhytjen e lirë dhe peshkimin, të jetuarit si peshkatar është më e vështirë se gjithë stuhitë e liqenit. Sipas tij, të ardhurat për një peshkatar janë aq të ulta sa është e vështirë të përballosh jetesën; sidomos tani që është edhe prindi i një djali 1 vjeçar. Orioni tregon se, ndonjëherë, kthehet duarbosh nga peshkimi, por me krenari shton se një herë ka arritur të fitojë 100 mijë lekë të reja nga peshkimi i një dite. Ky fat i mirë e ka ndjekur shumë rrallë gjatë viteve si peshkatar, pasi zakonisht ai dërgon në familje vetëm të ardhurat që mund të vijnë nga shitja e vetëm disa kilogramëve peshk.
Përballja çdo ditë më vështirësitë e peshkimit nuk e ka zbehur dashurinë e Orionit për liqenin, traditën dhe sidomos për familjen. Ai shprehet i vendosur se nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria, dhe as nga Pogradeci, sa kohë do të ketë mundësi të peshkojë, sikurse ka bërë prej më shumë se 10 vitesh. “Nuk do të largohem nga Shqipëria, pasi familja dhe liqeni janë e gjithë jeta ime”, tregon peshkatari 30-vjeçar.