Nje urë për të mos u larguar
Artikel auch verfügbar in: Deutsch
Situata politike në Shqipëri është e mbingarkuar me tensione. Në mes të luftës së përditëshme ndërmjet krahëve politikë, korrupsionit dhe krimit, Erdion Macolli, 25 vjeç, kërkon të jetë pjesë e ndryshimit.
Ditët e Erdionit ndahen mes Pogradecit dhe Tiranës. Gjatë javës i drejtohet kryeqytetit për arsye pune, dhe fundjavave kthehet në qytetin e lindjes. Kur ndodhet në Pogradec pamja e tij ‘qetësohet’, edhe pse telefoni i bie pa pushim.
Jeta e tij në Tiranë është shumë e ndryshme nga ajo në Pogradec.
Jetën politike e shikon si një mundësi për të shkëmbyer përvojë me të rinj të tjerë dhe shndërrimin e këtyre përvojave në vullnet politik. Erdioni, si një politikan i ri, është i bindur se brezi i tij është ndryshimi që i duhet Shqipërisë. Të jesh politikan i suksesshëm, sigurisht, nuk është e thjeshtë. Atij i duhet të fitojë besimin e njerëzve të zhgënjyer. Ky zhgënjim, ndër të rinjtë, përkthehet në dëshirë për t’u larguar nga Shqipëria.
Për Erdionin nuk ka qenë e thjeshtë të arrijë këtu, prandaj dhe fokusi i tij është rinia shqiptare. Dëshira e tij për të ndryshur në Shqipëri gjërat që atij vetë i kanë mungur, e bën të jetë aktiv në politikë. Të qëndruarit në Shqipëri, sidomos për rininë, sipas Erdionit, është thelbi i ndryshimit. Kjo mund të ndodhë nëse zëri i tyre dëgjohet. A është gati Erdioni t’i dëgjojë, dhe të ngrejë zërin bashkë me ta?
Dashurinë për Shqipërinë, vullnetin për të jetuar në atdhe, nuk e ka dyshuar kurrë. Vendimin për të qëndruar këtu nuk e ka lënë kurrë në dorë të fatit, por ka punuar për të, duke studiuar dhe duke u përfshirë politikisht. Pavarësisht se mbështet një forcë politike, Erdioni nuk pranon të bëhet palë kur sheh padrejtësi. Si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Pogradec, ai është i ndërgjegjshëm për sfidat dhe problemet e bashkëmoshatarëve.