No country for lesbians

nga Fatjana Kazani & Eva Gemmer

Artikel auch verfügbar in: Deutsch

Xheni Karaj është Drejtore Ekzekutive dhe bashkëthemeluese e organizatës 'Aleanca LGBT' në Shqipëri. Njihet si një nga aktivistet më të përkushtuara për të drejtat e këtij komuniteti. Ajo është 33 vjeç dhe është lindur në Tiranë.
Dalja në emisionin “Opinion“ ku, për herë të parë, pranoi publikisht orientimin e saj seksual dhe reagoi ndaj personave paragjykues kundër komunitetit LGBT në Shqipëri, bëri shumë bujë në media dhe e shndërroi në një personazh publik.
Ishte maji i vitit 2012 kur, në studion e emisionit “Opinion“, ish-nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Murat Basha, debatoi ashpër me një tjetër aktivist të komunitetit LGBT, Kristi Pinderin.
“Po të më bëhet djali si ti, plumbin ballit dhe le të shkoj në burg”, tha Basha.
Ishte pikërisht kjo fjali që e bërë Xhenin të merrte mikrofonin dhe të replikonte me Bashën. Në një dialog plot tension, Xheni i thotë: “Është fatkeqësi për fëmijën tuaj që ka një baba si ju“.
Me po atë guxim, Xheni vazhdon të luftojë për të drejtat e komunitetit LGBT. Ajo thotë se pavarësisht problemeve të mëdha që has në Shqipëri, përsëri është e motivuar të vazhdojë me misionin për të ndërtuar një mjedis më njerëzor për këta persona, të cilët diskriminohen nga shoqëria dhe detyrohen të bëjnë një jetë të dyfishtë, duke mos mundur të jenë vetvetja.

Pjesë nga emisioni "Opinion" i majit të vitit 2012, debati për komunitetin LGBT dhe homofobia.

„Fenomeni i kërcënimeve është më i përhapur në rrjetet sociale dhe portalet online.”

Xheni Karaj thekson se tashmë gjërat kanë ndryshuar disi, por përsëri komuniteti LGBT vuan pasojat e diskriminimit dhe jeton nën frikën e kërcënimeve.
Bazuar në rastet që janë raportuar nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT në vitin 2016, anëtarët e komunitetit që frekuentojnë qendrën e Aleancës janë të moshës 18-26 vjeç dhe, kryesisht, e identifikojnë veten si homoseksualë, transeksualë dhe lezbike.
Sipas Aleancës, deri në dhjetor 2016, ka pasur 532 raste të raportuara të dhunës psikologjike, përfshirë: fyerje, etiketime, poshtërim në rrugë dhe përjashtim nga transporti publik, bare, palestra, supermarkete. Shumë nga këto raste nuk raportohen në Polici, si pasojë e mungesës së besimit nga pjesëtarët e komunitetit në institucionet shtetërore, dhe nga frika e kthimit në target diskriminimi nga vetë punonjësit e këtyre institucioneve, si në rastin e Policisë së Shtetit.
Personat e LGBT hasin vështirësi në punësim për shkak të stigmës dhe paragjykimit që ekziston për ta. Ka pasur raste kur këta persona janë pushuar nga puna vetëm për faktin se punëdhënësi ka zbuluar orientimin seksual të punëmarrësit. Disa prej tyre janë të prirur të largohen nga Shqipëria për faktin se këtu nuk kanë gjetur dot një punë.
Puna si ‘punonjës seksi’ shihet prej anëtarëve të komunitetit si një mënyrë mbijetese për të siguruar të ardhura për veten dhe familjet. 11 anëtarë të komunitetit të cilët frekuentojnë rregullisht qendrën janë ‘punonjës seksi’.
Për sa i përket shëndetësisë, anëtarët e komunitetit LGBT kanë akses vetëm në shërbimin e urgjencës, i cili jepet falas, dhe atyre u duhet të shoqërohen nga stafi i Aleancës pasi vihet re që mjekët janë homofobë.
Sa i përket strehimit, personat e komunitetit LGBT kanë një vend për të qëndruar në Tiranë, por ai mbahet sekret për shkak të diskriminimit dhe kërcënimeve që mund t’u bëhen. Duke qenë se personat e komunitetit LGBT që frekuentojnë Aleancën janë banorë të regjistruar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, nuk mund të përfitojnë nga programet e strehimit.
Fenomeni i kërcënimeve është më i përhapur në rrjetet sociale dhe portalet online, ku shpesh ndodh që personat e komunitetit ofendohen, dhunohen psikologjikisht dhe kërcënohen për shkak të orientimit të tyre seksual.

Fenomeni i kërcënimeve është më i përhapur në rrjetet sociale dhe portalet online, ku shpesh ndodh që personat e komunitetit ofendohen, dhunohen psikologjikisht dhe kërcënohen për shkak të orientimit të tyre seksual.
Vendi sekret ku ata mblidhen për takime dhe aktivitete të ndryshme të Aleancës është në njëfarë mënyre streha e vetme ku mund të jenë vetvetja, pa pasur nevojë të aktrojnë dhe të shtiren për shkak të diskriminimit që u bëhet.
Të ulur në divane dhe në dysheme, me kartonat e picave në njërën dorë dhe pijen freskuese në dorën tjetër, ata shikojnë të pëqendruar dokumentarin “ Ska Ndal” në dhomën e errët me video-projektor.

Dokumentari pasqqron disa nga paradat dhe aktivitet e realizuara nga Aleanca dhe në të është përfshirë edhe episodi i debatit të ashpër mes Murat Bashës dhe Kristi Pinderit, fragment i cili shkakton shumë reagime.
Në momentin e reklamave të emisionit, Basha në debat e sipër i drejtohet sërish Kristit duke i thënë me kërcënim: “Unë të pres gurmazin, more vesh apo jo?”.
Ata tundin kokën në formë pabesueshmërie dhe vazhdojnë të shajnë duke bërtitur me zë të lartë: “Je ti ai të cilit i duhet çarë gurmazi, çfarë të kemi bërë ne. Kafshë!”
Disa rrudhin turinjtë dhe disa të tjerë hedhin copën e mbetur të picës drejt ekranit, duke sharë me zë të lartë e duke e quajtur atë një “kafshë mizore”.
Pavarësisht zemërimit dhe revoltës së tyre, frika është sërish e pranishme tek ata pasi Basha nuk është i vetmi, përkundrazi, ka shumë persona të tjerë që mendojnë si ai, duke e përçuar këtë mesazh edhe te më të rinjtë.
Megjithatë, ashtu siç shpjegon edhe Xheni, gjërat tashmë kanë ndryshuar disi.

Qendra sekrete e Aleancës LGBT, ku personat e komunitetit zhvillojnë takimet e tyre.