Nëna e të 12-ëve

nga Ina Kila & Tina Srowig

Artikel auch verfügbar in: Deutsch

Valbona Balla është kujdestarja e Shërbimeve Sociale në konviktin e Bishnicës. Ajo kalon 3 ditë me 12 fëmijë, që qëndrojnë në konvikt gjatë gjithë javës për shkak të kushteve të mjerueshme në familje. Së bashku me stafin ajo ndihmon edhe familjet në fshat që kanë nevojë për ushqime, veshmbathje ose shërbim shëndetësor.

Jetesa ne fshatrat si Bishnica, bëhet gjithmonë e më e vështirë. Për këtë arsye pjesa më e madhe migrojnë drejt qyteteve ose jashtë shtetit. Nga 115 nxënës vitin e kaluar, tani në shkollë janë vetëm 80. Fëmijët qëndrojnë larg familjeve gjatë gjithë javës, sepse është e pamundur që të vijnë në shkollë dhe të kthehen brenda ditës.
Saimir Rakipllari, shef i Financës së konviktit, shprehet se 70% e pjesëtarëve të familjeve janë të papunë dhe jetojnë në varfëri totale. “Banorët e fshatrave përreth detyrohen të bëjnë 3 orë rrugë vetëm për të blerë një thes miell, sepse nuk ka asnjë dyqan afër tyre. Policia nuk është asnjëherë e pranishme. Në raste dhune në familje apo problemesh shëndetësore banorët kërkojnë ndihmë te njëri-tjetri.
Saimiri thotë:
‘’Ne dëshirojmë t’i ndihmojmë të gjithë, por, ndonjëherë është e pamundur. Sidomos në dimër, kur niveli i borës arrin deri në gjysëm metri, familjet mbesin pa energji elektrike për rreth 10 ditë dhe rrugët janë të gjitha të bllokuara’’.

Marjana 5 vjeçe qëndron gjatë gjithë javës në konvikt.

Mariana është 5 vjeçe. Ajo qëndron në konvikt me dy vëllezërit, Erin dhe Drilonin. Nëna, babai dhe motra 2 vjeçe jetojnë në Verçan, 1 orë larg Bishnicës. Të dy prindërit i ka të papunë. Babai, me aftësi të kufizuara, merr një ndihmë prej 130 mijë lekësh të vjetra që e bën të pamundur edukimin dhe ushqyerjen e katër fëmijëve.
E pyesim Marianën:
-Të merr malli për mamin, babin dhe motrën?
-Shumë, por dua të rri këtu.

Në vitin 2002 në zonat rurale jetonte 56 % e popullsisë, ndërsa në vitin 2016 42%.

Burimi: Worldbank / tradingeconomics.com

Konvikti dhe shkolla për të gjithë fëmijët e Bishnicës dhe fshatrave përreth, u themelua nga ‘Diaconia Albania’, financuar nga 'Christlicher Hilfsverein Wismar' (Shoqata e Ndihmës së Krishterë), një fondacion gjerman, i cili në bashkëpunim me organizata të tjera mundohet të ndihmojë njerëzit në vështirësi të mëdha ekonomike në rreth 30 vende të botës.

80 fëmijë studiojnë në shkollën e Bishnicës
Vitin e kaluar studionin 115 nxënës.
Klasa e 6-të është e bashkuar me të 8-tën , ndërsa klasa e 7-të me të 9-tën për shkak të numrit të pakët të nxënësve.

Pas një dite të gjatë të kaluar me fëmijët, Valbona thotë se çka dëshiron më shumë për ta është që të marrin edukimin e duhur, që shteti të ndërhyjë në përmirësimin e infrastrukturës dhe uljen e papunësisë në zonat ruarale. Që një ditë të gjithë fëmijët të jenë qytetarë të së ardhmes.

Deri në vitin 1998 ndërtesa ka qenë e banueshme. Shërbente si hotel.